BISMILAHI RRAHMANI RRAHIM!
Të nderuar vëllezër dhe motra në Austri dhe kudo që jeni!
Më lejoni në prag të festës së Kurban Bajramit që është nesër e diel, 16 qershor 2024, festë e cila ndërlidhet me kryerjen e Haxhit dhe karakterihzohet me prerjen e Kurbanit përmes të cilës manifestohet mëshira e Allahut për mbarë besimtarët në të gjitha anët e rruzullit tokësor, që në emër të Komunitet Shqiptarë Myslimanë në Austri dhe në emrin tim, në cilësinë e Kryetarit të këtij komuniteti, t’ju uroj festën e madhe të Kurban-Bajramit, duke bërë lutje tek Allahu xh.sh. për mirëqenie, begati dhe shëndet.
Secila festë ka specifikat dhe vlerat e saj, ndërsa vlerat e Kurban- Bajramit shprehen përmes therjes së kurbanit, bamirësisë, solidaritetit, humanitetit, drejtësisë e barazisë ndërmjet të gjithë njerëzve ku do që jetojnë dhe veprojnë.
Në këto momente në rrafshnaltën e Arafatit janë duke qëndruar dhe bërë lutje të shumta shumë nga vëllezërit e motrat tona nga të gjitha viset e botë. Të cilët në mënyrë të veçantë lusin Allahun e Gjithëmëshirshëm për paqe, mëshirë dhe falje. Andaj shpresoj që edhe ne që nuk jemi në haxh të bëjmë lutje dhe adhurim të shumtë Allahut të Lartësuar, të lusim Atë që të gjithë neve të na fal dhe të na shpërblej me xhenet.
Allahu xh.sh. në Kuranin Famëlartë thotë:
“E Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t’i vendosim në xhenete, ku rrjedhin lumenj e ku do të jenë përgjithmonë.” En-Nisa, 122.
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Vlerat e Kurban Bajramit mbështetën në kryerjen e haxhit dhe prerjen e kurbanit të cilat rite janë porosi dhe mesazhe hyjnore drejtuar shoqërisë myslimane. Të gjitha porosit hyjnore kanë për qëllim ngritjen e shpirtit, ruajtjen e mendjes, rritjen e ndërgjegjes, shtimin e vullnetit për vepra të mira. Në të njëjtën kohë porosit hyjnore ftojnë për largimin e urrejtjes, xhelozisë, egoizmit dhe përçarjes. Kurani dhe syneti i Pejgamberit s.a.w.s. na ftojnë në solidaritet, humanizëm, në punë të mira, në respekt të ndërsjellët dhe në vëllazërim në mes të gjithë njerëzve. Të gjitha këto porosi janë edhe porosi të këtij Kurban Bajrami.
Allahu xh.sh. thotë:
“…Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi..…!” El-Maideh: 2.
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Më lejoni që edhe një herë si kryetar i Komunitetit Shqiptarë Myslimanë në Austri t’ju uroj festën e Kurban-Bajramit të gjithë vëllezërve e motrave myslimane të Austrisë dhe të gjithë myslimanëve kudo që ata gjenden nëpër botë.
Me fat festa e Kurban – Bajramit!
Vahidin Beluli
Kryetari i ALKIG-ut