ALKIG

K U R B A N I

Hevzi Hasani
  • 28. May 2024
  • 0 Comments
Me shprehjen kurban  në sheriatin islam nënkuptohet therja apo prerja e ndonjë kafshe që është hallall t’i hahet mishi me qëllim për t’iu afruar Allahut xh.sh.
Kurbani më i mirë është që prehet gjatë ditëve të kurban bajramit. Mu për këtë Pejgamberi s.a.w.s. ka thënë:
(مَنْ كَانَ لَهُ سَعَةٌ وَ لَمْ يُضَحِّ فَلاَ يَقْرَبَنَّ مُصَلاَّنَا)
“Kush ka mundësi për të pre kurban dhe nuk pret, mos të afrohet te vendi ku falemi ne (të mos e falë me ne bajramin)”.
NORMA E KURBANIT
حكم الأضحية
Të therurit e kurbanit për kurban bajram është vaxhib.
KUSH OBLIGOHET ME KURBAN
على من تجب الأضحية
Për t’u obliguar për prerje të kurbanit duhet plotësuar këto kushte:
1. أن يكون مسلما- që të jetë musliman. Nuk obligohet me kurban ai i cili nuk është musliman.
2. أن يكون حرًّا- që të jetë i lirë. Robi nuk obligohet për të prerë kurban.
3. أن يكون مقيما- që të jetë vendas. Ai i cili është udhëtar nuk obligohet për të prerë kurban.
4. أن يكون عاقلا- që të jetë i aftë psiqikisht.
5. أن يكون بالغا- që të jetë i hyrë në moshën madhore.
6. أن يكون موسرا- që të jetë i pasur. Ai person i cili ditën e kurban bajramit ka aq pasuri sa që pasuria i arrin atë ditë vlerën e nisabit i tilli obligohet për të prerë kurban.
Shënim:
Njeriu është i obliguar vetëm për vete me pre kurban, nuk obligohet të pret për fëmijët e vet të vegjël apo me të meta psikike.
KOHA E PRERJES SË KURBANIT
وقت الأضحية
Prerja e kurbanit të bajramit e ka kohën e caktuar dhe se nuk bënë të prehet para kohe e as pas kohe. Koha e prerjes së kurbanit të bajramit fillon prej agimit të ditës së kurban bajramit dhe vazhdon deri në perëndim të ditë së tretë të kurban bajramit. Në qytete apo fshatra ku falet bajrami, kurbani duhet të prehet pasi të falet bajrami deri në perëndim të ditës së tretë, ndërsa nëpër ato fshatra të vogla ku nuk falet bajrami, koha e prerjes se kurbanit fillon qysh prej atëherë kur të hyje koha e namazit të sabahut e do të zgjas deri në perëndimin e ditës së tretë të bajramit.
Shënim:
Kur ndodhë që për shkaqe të arsyeshme nuk mund të shkohet në xhami për t’u falur bajrami, kurbani mund të prehet pasi të kaloje koha e faljes së namazit të bajramit.
Po qe se ndodhë që dikush i qytetit e dërgon kurbanin e tij të prehet në ndonjë fshatë ku nuk falet bajrami dhe i tilli kurban prehet para se të falet bajrami, kurbani i tillë është i vlefshëm.
KUSHTET QË DUHET T’I PLOTËSOJ KURBANI
شروط الحيوان المضحى
Për të qenë kurbani i vlefshëm duhet t’i plotësoj këto kushte:
1. أن يكون من الأنعام- që kurbani të jetë bagëti, dhi, lopë, ballica dhe deve. Të tillat shtazë nuk kushtëzohet të jenë një gjinie por mund të jenë meshkuj apo femra. Po ashtu duhet të përmendim se shtaza e egër nuk lejohet të prehet për kurban.
2. أن يكون الحيوان تاما سالما من العيوب- që kurbani të jetë shtazë pa të meta dhe e shendosh.
3. أن يكون الحيوان قد بلغ من السن – që kurbani t’i ketë vitet e duhura. Delja dhe dhia për tu prerë kurban duhet të mbushe një vit. Qengji mund të prehet për kurban edhe atëherë kur i mbush gjashtë muaj por me kusht që të jetë i trash sikur t’i ketë një vit. Nëse prehet lopa apo ballica kushtëzohet që t’i kenë mbushur dy vite, ndërsa deveja duhet t’i ketë mbushur pesë vite.
ÇKA LEJOHET TË PREHET PËR KURBAN DHE ÇKA NUK LEJOHET
ما يجوز ذبحه في الأضحية و ما لا يجوز
Kafsha që lejohet të prehet për kurban:
1. Deveja e cila i ka mbushur pesë vite.
2. Lopa e cila i ka mbushur dy vite.
3. Ballica që i ka mbushur dy vite.
4. Delja e cila ka mbushur një vit. Lejohet të prehet qengji i cili i ka mbushur gjashtë muaj por më kushte që të jetë i trashë.
5. Dhia e cila ka mbushur një vit.
6. Kurbani i cili fare nuk ka bri që nga lindja.
7. Kurbani që nuk e ka një pjesë të bririt.
8. Shtaza e tredhur, por më mirë është që të mos jetë e tredhur.
Kafsha që nuk lejohet të prehet për kurban:
1. Kafsha e egër edhe nëse lejohet t’i hahet mishi.
2.  Kafsha e cila është e verbuar me të dy sytë.
3. Kafsha e cila është e verbuar vetëm me njërin sy.
4. Kafsha e cila çalon sa që nuk mund të shkoje duke ecur deri të vendi i therjes. E nëse ndodhë që ajo mund të ec me tri këmbë duke çaluar me të katërtën por disi arrin deri të vendi i therjes lejohet të prehet për kurban.
5. Kafsha e cila është shumë e ligsht.
6. Kafsha e cila i ka të këputur gjysmën e më tepër të veshi.
7. Kafsha e cila e ka të këputur gjysmën e më tepër të bishtit.
8. Kafsha e cila shumicën e dhëmbëve nuk i ka, e nëse i ka më tepër sa gjysma e dhëmbëve lejohet të prehet për kurban.
9. Kafsha e cila që nga lindja nuk ka veshë.
10. Kafsha që i ka të këputura kokat e sisëve.
PËR SA PERSONA  VLEN KURBANI
عن كم تجزئ الأضحية
Delja dhia vlen si kurban vetëm për një person. Ndërsa kurbani i prerë prej kafshëve të mëdha si deveja, lopa dhe ballica vlejnë për shtatë veta si kurban, por që më kusht që të gjithë të e kenë nijjetin për kurban. Nëse prej shatë personave nuk e ka nijjetin e kurbanit kurbani i tillë nuk është i vlefshëm për asnjërin.
DISTRIBUIMI I MISHIT DHE LEKURËS SË KURBANIT
مصرف لحوم الأضاحي و جلودها
Rekomandohet që kurbani të ndahet në tri pjesë, një pjesë të ndalet për familjen, një pjesë t’u jepet të varfërve dhe një pjesë t’u jepet të afërmeve. Mesë miri është që krejt mishi i kurbanit të jepet sadaka. Sa i për ketë lëkurës ajo nuk duhet të shitet por duhet të jepet si sadaka. Po ashtu nuk lejohet që therësi të shpërblehet me mishin e kurbanit apo me lëkuren e kurbanit.
DISA RREGULLA QË KANË TË BËJNË ME KURBANIN
أحكام عامة
1. Prerja e kurbanit për bajram është vaxhib, dhe se nga ky obligim nuk lirohet mukel-lefi edhe nëse ndodhë që kalon koha e prerjes së kurbanit pa u pre. Nëse ndodhë që dikush e ka ble kurbanin por nuk e ka therë derisa kanë kaluar ditët e bajramit, në këtë rast ky person duhet ta jap sadaka kurbanin të gjallë ose ta e ther dhe mishin ta jap sadaka dhe kurrsesi të mos haje asgjë nga mishi i tij. Por nëse ndodhë që nuk e ka blerë kurbanin fare edhe pse e ka pasur vaxhib, i tilli duhet të jap sadaka në vlerë të kurbanit.
2. Po qe se ndodhë që kurbani pasi është blerë, ka humbur apo ka ngordhur apo është vjedhur, në këtë rast obligohet prapë personi të blejë një tjetër për kurban. E nëse e gjë kurbanin pasi ta blejë tjetrin, i tilli tash duhet të zgjedh se cili është më i mirë ta e pretë për kurban ose nëse ka mundësi t’i pretë të dy.
3. Nëse i varfëri i cili nuk e ka vaxhib kurbanin, e blenë ndonjë kurban i tilli e ka vaxhib për ta pre kurbanin. Po qe se këtij të varfëri i humbë ose ia vjedhin kurbanin, në këtë rast duhet ta blejë tjetrin për ta pre kurban.
4. Lejohet që të autorizohet dikush për ta pre kurbanin.
5. Nuk lejohet të shitet as mishi e as lëkura e kurbanit.
Autor : Dr. Flamur Sofiu