ALKIG

NAMAZI I BAJRAMEVE DHE NORMAT JURIDIKE ISLAME

Hevzi Hasani
  • 16. June 2024
  • 0 Comments

Dr. Flamur Sofiu

NAMAZI I BAJRAMEVE DHE NORMAT JURIDIKE ISLAME

Hyrje

Pa dyshim së është nderi më i madh dhe lavdia më e lartë për besimtarët që Allahu i Lartësuar tua caktoj atyre se kur e kanë festë-bajram. Sepse besimtari është i sigurt se zgjedhja e Zotit të Madhëruar për njerëzit është më e mirë se zgjedhja e tyre për veten e tyre, dhe Zoti i Madhëruar tha: “Për secilin prej jush kemi bërë ligj dhe mënyrë të jetesës”[1].

Festat janë nderë dhe privilegj për shoqëritë në përgjithësi. Ku për këtë ka thënë Pejgamberi s.a.w.s. ka thënë: “Çdo popull ka festën e vetë ndërsa (bajrami) është festa jonë”[2]. Festat janë veçori që e dallojnë çdo popull dhe shoqëri, e ne myslimanët në këtë aspekt dallohemi me dy bajramet.

Bajrami në Islam është një manifestim i gëzimit dhe një mundësi e madhe për pastërtinë e shpirtrave, bashkimin e fjalës dhe përtëritjen e jetës. Bajrami nuk nënkupton që besimtari të tregoj neglizhencë ndaj obligimeve fetare apo të heq dore nga morali dhe etika gjatë festimit.

Myslimanët festat e tyre i manifestojnë duke e madhëruar  dhe lartësuar Allahu e Madhërishëm, duke i bërë ibadet dhe përkujtim për të gjitha të mirat dhe begatitë e Tij. Prandaj edhe në rastet e bajrameve myslimanët e fillojnë festë e bajramit duke e falur namazin e bajramit, e më pastaj duke i ndihmuar dhe përkrahur ata që kanë nevojë me qëllim që edhe të varfëritë të jenë të gëzuar e të lumtur gjatë festave të bajramit.

Namazi i bajramit ka vlerë të madhe dhe se kjo vlerë bëhet e qartë nga fakti se Pejgamberi s.a.w.s. dhe shokët e tij më pastaj i kanë kushtuar shumë rendësi falje së namazit të bajrameve. I gjithë ky përkushtim ndaj namazit të bajrameve është bërë me të vetmin qëllim që t’i shprehet falënderimi Zotit për begatit dhe mirësitë e mëdha që sjellin dy bajramet tek besimtarët.

Prej urtësive të kryerjes së namazit të bajrameve mund të përmendim atë se si namazi po ashtu edhe hytbeja e bajrameve përfshijnë në vetë bashkimin dhe tubimin e besimtarëve për ta përmendur dhe lavdëruar Krijuesin e Madhërishëm. Tjetra urtësi është se me faljen e namazit të bajrameve besimtarët përveç adhurimit shprehin gëzimin  dhe lumturinë e përbashkët që e kanë në jetë e tyre fetare islame.

Pa dyshim se dijetarët e jurisprudencës islame kanë ndarë mendimet e tyre rreth normave dhe rregullave qe kanë të bëjnë me namazin e bajrameve dhe rregullat që kanë të bëjnë me vetë dy bajramet.

Ne në këtë temë modeste do të përmendim vetëm shpjegimet dhe sqarimet e medh’hebit hanefitë duke mos u thelluar në detaje.

            Norma e namazit të bajrameve:  

Namazi i bajrameve është vaxhib duke u bazuar në ajetin kuranor: “Falu për Zotin tendë dhe ther kurban”[3]. Hanefitët duke u bazuar në këtë kanë sjell normën se namazi i bajrameve është vaxhib.

Namazi  i bajrameve është vaxhib për atë, që të cilit është farz xhumaja. Pra namazi i bajrameve është vaxhib për këta persona:

  1. Për atë që është mashkull. Femra nuk e ka vaxhib namazin e bajrameve.
  2. Ata që janë vendës në atë vend ku ka prijës, kadi apo mufti. Namazi bajrameve nuk është vaxhib për atë që konsiderohet udhëtar dhe që jeton në ato vende ku nuk ka prijës, kadi apo mufti.

3- Që personi të mos jetë i sëmurë. Personi i cili është i sëmurë dhe nuk mund të shkojë në xhami nuk e ka obligim faljen e namazit të bajrameve[4].

            Koha e namazit të bajrameve

Namazi i bajrameve mund të falet afërsisht njëzetë minuta pasi të ketë lindur dielli e deri para se të hyjë koha e namazit të drekës. Rekomandohet që të shtyhet pak koha e namazit të fitër bajramit, ndërsa të namazi i kurban bajramit rekomandohet që në kohën e parë të falet namazi.

            Mënyra e të falurit të namazit të bajrameve

Për namaze të bajrameve nuk këndohet ezani e as ikameti. Ky namaz përbëhet prej dy rekateve, njëjtë sikur namazi i sabahut, por dallon në atë se në këtë namaz është vaxhib të këndohen tekbiret. Këto tekbire këndohen në këtë mënyrë: tri tekbire këndohen pas leximit të subhanekesrekatin e parë, pastaj lexohet fatihaja dhe sureja, ndërsa kur të ngrihemi në rekatin e dytë pasi të lexohet fatihaja dhe sureja këndohen tri tekbire. Po që se tekbiret lexohen para leximit ose pas leximit, namazi megjithatë konsiderohet i vlefshëm. Sa herë që të bëhen tekbiret duhet të ngrihen duart[5].

            Disa rregulla që kanë të bëjnë me namazin e bajrameve

  1. Namazi i bajrameve ka shartet dhe ruknet sikur edhe namazet e tjera të zakonshme, mirëpo, nëse namazi i bajramit është duke u falur, musaliu nuk ka abdest dhe nuk i mjafton koha për të marrë abdest, atëherë, i tilli, duhet të marrë tejemmum për shkak se i është ngushtuar koha e faljes së bajramit.
  2. Kur ndodhë që musaliu të arrijë imamin pasi t’i ketë kryer tekbiret, në këtë rast musaliu do ta bëjëe tekbirin fillestar e pastaj do t’i bëjë tekbiret e namazit të bajramit pa lexuar fare subhaneken. Nëse e arrinë imamin në ruku, nëse ka mundësi i kryen tekbiret dhe shkon në ruku, e nëse nuk mundet, i bën në ruku.
  3. Po që se musaliu e arrin imamin në rekatin e dytë, ai duhet ta plotësojë rekatin duke i kënduar edhe tekbiret.
  4. Kur ndodhë që imami të këndojë më tepër se tri tekbire muktediu duhet ta ndjekë doemos imamin.
  5. Atij që i kalon namazi i bajramit pa e falur me imam, nuk duhet ta falë kaza.
  6. Konsiderohet mekruh i lehtë të falurit e namazeve nafile qoftë në shtëpi apo në xhami para se të falet bajrami, po ashtu, mekruh është të falet nafile pasi të jetë falur bajrami në xhami, ndërsa, në shtëpi, pasi të jetë falur bajrami nuk është mekruh të falësh namaz nafile.
  7. Sunnet është që pasi të falet bajrami të mbahet hutbeja.

Kendimi i tekbirit të teshrikut

Me shprehjen tekbiri teshrik nënkuptohen ato tekbire të cilat  fillojnë të këndohen pas namazit të sabahut të ditës së Arefatit d.t.th., natës së kurban bajramit dhe këto tekbire vazhdojnë të këndohen pas çdo namazi farz deri në farzin e ikindisë të ditës së katërt.

Forma e tekbirit teshrik është kjo:

اَللهُ أَكْبَرُ اللهُ أَكْبَرُ لاَ اِلَهَ إِلاَّ اللهُ وَاللهُ

أَكْبَرُ اللهُ أَكْبَرُ وَ لِلَّهِ الْحَمْدِ

“Allahu është më i madhi. Allahu është më i madhi. Nuk ka zot tjetër pos Allahut. Allahu është më i madhi. Allahu është më i madhi. Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut”[6].

Të kënduarit e tekbiri teshrikut është vaxhib vetëm një herë, e po që se këndohet më tepër është mustehab. Gruaja kur të këndojë tekbiri teshrikun duhet të këndojë me zë të ulët.

Hutbeja e bajrameve

Të mbajturit  e hutbesë është sunnet. Hutbeja e bajramit përbëhet prej dy hutbeve, sikurse hutbeja e xhumasë. Hatibi, hutben e bajramit e fillon me tekbire.

            Disa rregulla të përgjithshme që kanë të bëjnë me ditën e bajramit:

  1. Pastrimi i dhëmbëve, trupi, parfumosja dhe veshja e rrobave më të mira preferohet për ditën e bajramit. Larja i trupit rekomandohet të behet para faljes së namazit të bajramit por lejohet të pastrohemi edhe para se të falemi namazin e sabahut dhe pastaj të shkohet në xhami i pastruar.
  2. Rekomandohet që të këndojmë tekbiret pa zë gjatë rrugës për në xhami.
  3. Rekomandohet që të ndërrohet rruga kur të kthehemi për në shtëpi pas faljes së namazit të bajramit.
  4. Femra nuk e fal namazin e bajramit vetmas në shtëpi ngase ajo nuk e ka obligim.
  5. Kur ndodh që të jetë dita e bajramit në ditën e xhuma, namazi i xhumasë duhet falur edhe pse bajrami është falur më herët. Arsyetimi pse duhet falur namazi i xhumasë është ky: se namazi i xhumasë është farz, e farzi nuk lihet për shkak se është kryer një vaxhib (e që në këtë rast namazi i bajramit është vaxhib).
  6. Gjatë leximit të tekbireve nuk rekomandohet të behet asnjë lloj dhikri apo lutje.
  7. Namazi i bajrameve nëse i kalon dikujt pa e falur nuk duhet të behet kaza.
  8. Rekomandohet që të hahet diçka para se të dilet me shkuar në xhami për ta fal fitër bajramin, ndërsa në kurban bajram rekomandohet të mos hahet asgjë derisa të falet namazi i bajramit[7].
  9. Rekomandohet që në xhami të shkohet në këmbë kuptohet nëse nuk është distancë e madhe dhe kushtet klimatike janë të përshtatshme për të ecur.
  10. Rekomandohet që namazi i bajramit të falet në vende të hapur kur janë mundësit dhe rrethanat.
  11. Agjërimi në ditët e bajramit konsiderohet mekruh i rendë[8].
  12. Rekomandohen urimet dhe vizitat gjatë ditëve të bajrameve[9].
  13. Rekomandohet që në perëndimin e diellit të natës së bajramit e deri sa të falet namazi i fiter bajramit të këndohen tekbiret.
  14. Nuk është e mirë që të bëhen shpenzime të panevojshme dhe harxhime të tepërta, por sa ma shumë me u treguar solidar ndaj atyre që janë të nevojshëm.

 

 

[1] El-Maideh: 48

[2] El-Buhariu  nr 1432  dhe Muslimi nr 892

[3] El-Keuther: 2

[4] Muhamed Maxhid Iter, El-Mufessal Fil Fikhil Hanefiji (el-Ibadat), boton Mektebul Mustakbel, Halep, pa vit botimi fq. 215

[5] Po aty

[6] Ibn Ebi Shejbete, el-Musannefu, boton: Err-Rrushd, pa vend dhe vit botimi,  vol. II fq. 268

[7] Është transmetuar nga Ibn Buraide e ky nga babai i tij se: “ I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk dilte në ditën e fitër bajramit derisa të hante dhe nuk hante në ditën e kurban bajramit derisa të kthehej”. Ibn Maxhe hadithi nr 1756

[8] Të agjëruarit në ditët e bajramit konsiderohet mekruh i rendë dhe se ai që agjëron agjërimi i tij është i vlefshëm por veprimi i tillë nuk është i lejuar d.t.th. ka agjëruar kur është i ndaluar agjërimi. Ky është mendimi i hanefitëve.

[9] Transmetohet nga Selamn el-Farisiju r.a. se Pejgamberi s.a.w.s. ka thënë: “Vërtetë myslimani kur e takon vëllain e tij mysliman dhe e kap përdore , gjynahet atyre dyve u fshihen ashtu sikurse bijën gjethet e thara pre lisit kur ka erë të fortë (furtunë) dhe se mëkatet e tyre u falën edhe nëse janë sa shkuma e detit”. (EtTaberaniju: el-Muxhemul Kebir, vol 6. fq. 256).